Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH)
Çfarë përfaqëson?
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është tatimi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe përbën një tatim mbi konsumin. Ai aplikohet në çdo fazë të prodhimit dhe shpërndarjes, mbi çmimin pa tatim, duke u ngarkuar konsumatorit final. Ky tatim zë një peshë shumë të madhe në buxhetin e shtetit shqiptar, duke përfaqësuar rreth 50% të totalit të të ardhurave tatimore. Për bizneset, TVSH ka rëndësi të dyfishtë: nga njëra anë është një detyrim ligjor që duhet respektuar, ndërsa nga ana tjetër është një mekanizëm që ndikon drejtpërdrejt në çmimet, konkurrueshmërinë dhe rimbursimet. Bizneset kanë të drejtë të zbritin TVSH-në e paguar për blerjet nga ajo që mbledhin nga shitjet. Përveç kësaj, TVSH shërben si një instrument që ndikon në kostot e operimit, strukturën e çmimeve, aftësinë konkurruese dhe likuiditetin e bizneseve, duke e bërë atë një element kyç për funksionimin e ekonomisë.
Mënyra e llogaritjes
Norma standarde e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Shqipëri është 20%, me përjashtime për disa sektorë si bujqësia, turizmi dhe librat ku aplikohet një normë më e ulët. Llogaritja e TVSH-së bëhet duke aplikuar normën tatimore mbi çmimin pa tatim të një produkti apo shërbimi. Çdo subjekt ka të drejtë të regjistrohet me TVSH, por regjistrimi bëhet i detyrueshëm nëse qarkullimi vjetor kalon 10.000.000 lek ose nëse kryhen importe. Ky tatim ka neutralitet fiskal, pasi biznesi nuk e mban si kosto përfundimtare, por e transferon tek konsumatori final.
Afatet dhe periudhat e pagesës
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) ka periudhë tatimore mujore. Çdo subjekt i regjistruar është i detyruar të deklarojë TVSH-në e mbledhur nga shitjet dhe atë të zbritshme nga blerjet për çdo muaj kalendarik. Deklarimi dhe pagesa e TVSH-së kryhen çdo muaj, brenda datës 14 të muajit pasardhës, për periudhën tatimore të muajit paraardhës.
Mënyra e pagesës
Pasi të pajiseni me Urdhërpagesën nga studio e kontabilitetit, pagesën mund ta kryeni pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë, në Postën Shqiptare, si edhe në institucionet financiare të licencuara, si Easypay, AK-Invest, Unionnet – Western Union, etj., duke skanuar barkodin e Urdhërpagesës.
Pyetjet më të shpeshta (FAQ)
Si funksionon zbritja e TVSH-së?
Bizneset e regjistruara mund të zbresin TVSH-në e paguar në blerje nga TVSH-ja e mbledhur në shitje, duke paguar vetëm diferencën.
Kur duhet të regjistrohet me TVSH një OJF?
Një OJF (Organizatë Jofitimprurëse) nuk është e detyruar automatikisht të regjistrohet me TVSH. Regjistrimi bëhet vetëm nëse OJF-ja ushtron veprimtari ekonomike (shitje mallrash apo shërbimesh) dhe kalon pragun e xhiros vjetore të përcaktuar nga ligji prej 10 milion lekësh. Nëse xhiroja është më e ulët, regjistrimi është vullnetar.
Çfarë ndodh nëse nuk regjistrohem kur jam i detyruar?
Mosregjistrimi sjell gjoba, penalitete dhe detyrimin për të paguar TVSH-në e papaguar me kamatëvonesë.
Kur lind e drejta për të kërkuar rimbursim të TVSH-së?
Kur tatimpaguesi ka mbartur tepricën kreditore për 3 muaj radhazi dhe shuma është më e madhe se 400,000 lekë. Për eksportuesit, nuk ka kusht për numrin e periudhave, mjafton që teprica të jetë mbi 400,000 lekë.
Cilat janë afatet e rimbursimit të TVSH-së?
Eksportuesit brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Tatimpaguesit e tjerë brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Si subjekt i regjistruar me TVSH në Shqipëri, a jam i detyruar të lëshoj faturë me TVSH kur ofroj shërbime online për një klient të huaj (jo rezident)?
Shërbimet e ofruara për një subjekt të huaj (jo rezident në Shqipëri), kur konsumohen jashtë territorit shqiptar, nuk ngarkohen me TVSH shqiptare; në këtë rast, fatura lëshohet pa TVSH duke shënuar bazën ligjore për përjashtimin, ndërkohë që ajo duhet të pasqyrohet në librat e shitjeve dhe në deklaratën mujore të TVSH-së si “shërbim i përjashtuar”.
