Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP)
Çfarë përfaqëson?
Tatimi mbi pagën në Shqipëri, i njohur si Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), është një tatim progresiv mbi të ardhurat nga punësimi, i cili aplikohet mbi pagën bruto të punonjësve. Ky tatim është një nga burimet kryesore të të ardhurave fiskale për buxhetin e shtetit. Ai siguron të ardhura të qëndrueshme për buxhetin, mbështet financimin e shërbimeve publike si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, si dhe promovon drejtësi fiskale duke tatimuar më shumë ata që fitojnë më shumë. Tatimi mbi pagën ka edhe një qëllim social, pasi fillon të aplikohet vetëm pas një niveli të caktuar të pagës, duke lejuar që paga minimale të mos tatohet. Kjo ndihmon në mbrojtjen e shtresave me të ardhura më të ulëta dhe në sigurimin e një barazie më të madhe sociale. Ky tatim kontribuon rreth 8–10% të totalit të të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit. Punëdhënësi është i detyruar ta llogarisë dhe ta mbajë çdo muaj, duke e zbritur nga paga bruto e punonjësit. Punonjësi merr pagën neto, pra pas zbritjes së kontributeve dhe tatimit.
Mënyra e llogaritjes
Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) aplikohet sipas shkallëve të përcaktuara në tabelën e mëposhtme.
E ardhura nga paga në lekë/muaj | E ardhura e tatueshme në lekë/muaj | Norma tatimore në përqindje/mujore | ||
Nga | Deri në | Nga | Deri në | |
0 | 40 000 | 0 | 40 000 | 0% |
40 001 | 50 000 | 0 | 30 000 | 0% |
30 001 | 50 000 | 50% * 13% të shumës mbi 30 000 lekë | ||
50 001 | Më tepër | 0 | 30 000 | 0% |
30 001 | 200 000 | 13% e shumës mbi 30 000 lekë | ||
200 001 | Më tepër | 22 100 lekë + 23% të shumës mbi 200 000 lekë | ||
Afatet dhe periudhat e pagesës
Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) në Shqipëri deklarohet dhe paguhet nga punëdhënësi, i cili është i detyruar ta mbajë tatimin nga paga e punonjësit dhe ta derdhë në llogari të shtetit brenda afateve ligjore.
Afati i deklarimit dhe pagesës është deri më datën 20 të muajit pasardhës. Për bizneset persona fizik pa TVSH, ekziston mundësia e pagesës çdo tre muaj, sipas këtij kalendari:
- Janar – Mars: pagesa deri më 20 Prill
- Prill – Qershor: pagesa deri më 20 Korrik
- Korrik – Shtator: pagesa deri më 20 Tetor
- Tetor – Dhjetor: pagesa deri më 20 Janar
Ndërkohë, subjektet me TVSH, shoqëritë SH.P.K. dhe organizatat jo-fitimprurëse (OJF) janë të detyruara ta paguajnë tatimin çdo muaj, brenda datës 20 të muajit pasardhës.
Mënyra e pagesës
Pasi të pajiseni me Urdhërpagesën nga studio e kontabilitetit, pagesën mund ta kryeni pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë, në Postën Shqiptare, si edhe në institucionet financiare të licencuara, si Easypay, AK-Invest, Unionnet – Western Union, etj., duke skanuar barkodin e Urdhërpagesës.
Pyetjet më të shpeshta (FAQ)
Si të llogaris Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) për pagën time?
Për t’ju ndihmuar të llogaritni saktë Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) për pagën tuaj, ju ftojmë të kaloni te faqja ku ndodhet Llogaritësi i Pagës. Ky mjet ju ofron mundësinë të përllogaritni automatikisht Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) për çdo lloj page, si dhe për çdo kategori sigurimesh.
