Tatimi mbi dividentin
Çfarë përfaqëson?
Dividenti përfaqëson të ardhurat që aksionarët ose ortakët marrin nga fitimi i kompanisë, pas tatimit mbi fitimin dhe vendimit të asamblesë për shpërndarje. Shpërndarja e dividentit vendoset nga Asambleja e Aksionarëve ose e Ortakëve dhe mund të bëhet një herë në vit ose më shpesh, sipas politikës së kompanisë. Tatimi mbi dividentin është një tatim që aplikohet mbi shpërndarjen e këtij fitimi, edhe në rastet kur shoqëria ka vetëm një ortak apo aksioner. Megjithëse nuk ka peshë të madhe në buxhetin e shtetit, ky tatim ka rëndësi të veçantë për bizneset dhe investitorët, pasi ndikon në shpërndarjen e kapitalit, likuiditetin dhe politikat e investimit. Norma e ulët e tatimit mbi dividentin e bën Shqipërinë më tërheqëse për investitorët krahasuar me vendet ku ky tatim është më i lartë. Gjithashtu, ai ndikon në vendimet e kompanive për të shpërndarë fitime apo për t’i reinvestuar, formalizon shpërndarjen e kapitalit duke ulur praktikat e fshehjes së fitimeve dhe rrit konkurrueshmërinë e vendit.
Mënyra e llogaritjes
Mënyra e llogaritjes së tatimit mbi dividentin është e thjeshtë dhe bazohet në fitimin e shpërndarë nga shoqëria tek aksionarët ose ortakët. Norma aktuale në Shqipëri është 8%. Pas aplikimit të këtij tatimi, llogaritet dividenti neto, i cili përfaqëson shumën që merr aksionari ose ortaku pas zbritjes së tatimit.
Afatet dhe periudhat e pagesës
Afatet dhe periudhat e pagesës së tatimit mbi dividentin në Shqipëri lidhen me momentin kur shoqëria vendos të shpërndajë fitimin tek aksionarët ose ortakët. Ky tatim nuk ka periudhë fikse mujore, por zbatohet drejtpërdrejt në bazë të vendimit për shpërndarjen e dividentit. Shoqëria është e detyruar të mbajë tatimin në burim dhe ta derdhë në buxhetin e shtetit brenda datës 20 të muajit pasardhës nga shpërndarja e dividentit.
Mënyra e pagesës
Pasi të pajiseni me Urdhërpagesën nga studio e kontabilitetit, pagesën mund ta kryeni pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë, në Postën Shqiptare, si edhe në institucionet financiare të licencuara, si Easypay, AK-Invest, Unionnet – Western Union, etj., duke skanuar barkodin e Urdhërpagesës.
Pyetjet më të shpeshta (FAQ)
A mund të shmangë tatimin mbi dividentin në vendin e tij një individ i huaj duke hapur biznes në Shqipëri dhe duke vazhduar të jetojë në vendin e vet?
Një individ, nëse qëndron në një vend gjatë vitit tatimor për një periudhë ose periudha që në total arrijnë në 183 ditë ose më shumë, quhet rezident tatimor i atij vendi, dhe si rezident tatimor detyrimet e tij si individ janë të paguajë tatim në vendin ku është rezident tatimor për të gjitha të ardhurat, nga çdo vend që i ka.
Pra, nëse fiton të ardhura nga biznese në Shqipëri me tatim mbi dividentin 8%, por në vendin e tij tatimi është 30%, dhe individi qëndron 183 ditë ose më shumë në vendin e tij duke u quajtur kështu rezident tatimor në vendin e tij, ai duhet të bëjë një deklaratë tatimore individuale në vendin e tij (deklarata për rezidentët tatimor në Shqipëri quhet DIVA/DVAP), në të cilën do të deklarojë gjithë të ardhurat kudo që i ka fituar dhe do të paguajë tatimin mbi dividentin për diferencën mes tatimit në vendin ku janë fituar të ardhurat dhe tatimit në vendin e rezidencës tatimore.
Nëse në vendin ku nuk është rezident tatimor ka paguar tatim më shumë se çfarë do të paguante në vendin e tij të rezidencës tatimore, tatimi i paguar më tepër përgjithësisht nuk do të bëhet zbritje në vendin e rezidencës tatimore.
Për të rregulluar këtë marrëdhënie midis shteteve dhe për të njohur tatimin që është paguar nga një individ në një tjetër shtet në të cilin nuk është rezident tatimor, shtetet bëjnë marrëveshje të cilat njihen si marrëveshje ndërkombëtare “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e Evazionit Fiskal”.
