Konsulencë Fiskale
Konsulencë Fiskale
Në një mjedis ligjor dhe ekonomik që ndryshon vazhdimisht, konsulenca fiskale është një domosdoshmëri për çdo subjekt që dëshiron të operojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të ligjshme. Tatimet dhe detyrimet fiskale janë pjesë e pandashme e funksionimit të një biznesi apo organizate, dhe pa një orientim të saktë rreziku i gabimeve, gjobave apo kostove të panevojshme është i lartë. Konsulenca fiskale siguron jo vetëm përputhje me ligjin, por edhe optimizim të detyrimeve, duke ndihmuar bizneset dhe organizatat të marrin vendime të informuara dhe të qëndrueshme.
Çfarë ofrojmë?
Studio Kontabiliteti E&K ofron shërbime të specializuara të konsulencës fiskale për çdo lloj biznesi dhe organizatë jo-fitimprurëse. Ne analizojmë situatën fiskale të klientit, hartojmë strategji tatimore afatgjata, ofrojmë këshillim mbi TVSH, tatimin mbi fitimin dhe taksat lokale, si dhe asistojmë në përgatitjen e deklaratave tatimore dhe raportimeve periodike. Për subjektet që operojnë ndërkombëtarisht, ofrojmë konsulencë mbi tatimet ndërkufitare dhe marrëveshjet e dyfishta, ndërsa në rast inspektimesh tatimore sigurojmë mbështetje të plotë për përgatitjen e dokumentacionit dhe përfaqësimin pranë autoriteteve. Shërbimet tona janë të ndërtuara për të thjeshtuar proceset fiskale dhe për të siguruar transparencë të plotë.
Kujt dhe pse i shërben?
Ky shërbim është i përshtatshëm për biznese të vogla dhe të mesme që duan të sigurojnë stabilitet fiskal dhe të shmangin penalitetet, për korporata që kërkojnë optimizim të strukturës tatimore dhe menaxhim të detajuar të detyrimeve, për start-up-e që kanë nevojë për orientim të qartë në hapat e parë të zhvillimit, si dhe për individë të vetëpunësuar që duan të formalizojnë aktivitetin e tyre. Konsulenca fiskale është gjithashtu e domosdoshme për Organizatat Jo-Fitimprurëse, të cilat kanë specifika të veçanta ligjore dhe fiskale, duke përfshirë raportimet e donatorëve, transparencën financiare dhe përputhjen me kërkesat e institucioneve shtetërore. Në çdo rast, ky shërbim siguron qartësi, siguri dhe efikasitet në menaxhimin e detyrimeve fiskale.
Pyetjet më të shpeshta (FAQ)
A duhet të paguaj për konsulencën?
Shumë subjekte ofrojnë konsulencë falas, por duhet kuptuar se çdo këshillë profesionale kërkon kohë dhe përkushtim. Për këtë arsye, për të qenë të drejtë si me veten ashtu edhe me ju, kemi vendosur që konsulenca të ketë një kosto. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se për çdo pyetje të thjeshtë kërkojmë pagesë; mund të na kontaktoni lirisht dhe ne do t’ju përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur.
Konsulenca nuk është një shpenzim shtesë, por një investim i vlefshëm. Ajo ju kursen kohë, ju ofron siguri ligjore dhe mbron biznesin tuaj nga rreziqe të ardhshme. Në thelb, nuk paguani vetëm për pak punë, por për një garanci sigurie, kursimi dhe rritjeje. Shpesh, tarifa e konsulencës është shumë më e vogël se kostoja e gabimeve që mund të ndodhin pa të.
Cila është procedura që ndiqet për hapjen e subjekti?
Bizneset, qofshin persona fizikë, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k), degë të huaja apo zyra përfaqësimi, regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Procesi i hapjes së biznesit në Shqipëri realizohet plotësisht online përmes platformës e-Albania, duke përdorur llogarinë personale të individit, ose përmes një prokure të lëshuar kontabilistit në rastet kur individi është i huaj. Organizatat Jofitimprurëse (OJF) regjistrohen pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, ndërsa bizneset Ambulantë dhe Fermerë kryejnë regjistrimin pranë drejtorive rajonale tatimore të juridiksionit përkatës.
Cilat janë taksat dhe tatimet që një biznes duhet të paguajë?
Çdo biznes ka detyrime ligjore ndaj shtetit që duhet të respektojë për të funksionuar në mënyrë të rregullt. Këto përfshijnë taksa, tarifa, tatime dhe sigurime. Respektimi i këtyre detyrimeve është i domosdoshëm për të shmangur penalitete, për të siguruar transparencë dhe për të garantuar një funksionim të ligjshëm dhe të qëndrueshëm të biznesit. Për më shumë informacion mbi këto detyrime, kliko këtu.
Sa kushton shërbimi i kontabilitetit?
Kostoja e shërbimit përcaktohet individualisht për çdo biznes, pasi varet nga disa faktorë si: forma juridike e biznesit (PF, SHPK, SHA, OJF, Fermer apo Ambulant); përgjegjësitë tatimore (TVSH, Tatim në Burim, Taksa Kombëtare, etj.); të ardhurat apo xhiroja; lloji i aktivitetit; numri i të punësuarve; si dhe kërkesat shtesë që biznesi mund të ketë për të përmbushur nevojat e veta.
Nëse dëshironi të merrni një çmim për shërbimin që mund t’ju ofrojmë, ju lutem plotësoni formularin duke klikuar Formularin, në mënyrë që të njihemi me llojin e aktivitetit të biznesit tuaj dhe me të dhëna të tjera që do të na ndihmojnë të përcaktojmë një çmim të arsyeshëm, të bazuar në shërbimet e nevojshme për llojin tuaj të biznesit.
Kërkesa juaj do të shqyrtohet dhe do t’ju përgjigjemi me email sa më shpejt të jetë e mundur.
