Pyetjet më të shpeshta
Ky seksion është krijuar për t’ju ofruar përgjigje të shpejta dhe të besueshme mbi shërbimet e kontabilitetit. Këtu do të gjeni sqarime për pyetjet më të zakonshme që klientët kanë, të lidhura me aspektin ligjor të punës së një zyre kontabiliteti, rëndësinë e bashkëpunimit me profesionistë të licencuar dhe rreziqet që lindin kur bashkëpunohet me individë apo subjekte të palicensuara. Qëllimi ynë është të garantojmë transparencë, siguri dhe besueshmëri në çdo hap të bashkëpunimit.
Sa kushton shërbimi i kontabilitetit?
Kostoja e shërbimit përcaktohet individualisht për çdo biznes, pasi varet nga disa faktorë si: forma juridike e biznesit (PF, SHPK, SHA, OJF, Fermer apo Ambulant); përgjegjësitë tatimore (TVSH, Tatim në Burim, Taksa Kombëtare, etj.); të ardhurat apo xhiroja; lloji i aktivitetit; numri i të punësuarve; si dhe kërkesat shtesë që biznesi mund të ketë për të përmbushur nevojat e veta.
Nëse dëshironi të merrni një çmim për shërbimin që mund t’ju ofrojmë, ju lutem plotësoni formularin duke klikuar Formularin, në mënyrë që të njihemi me llojin e aktivitetit të biznesit tuaj dhe me të dhëna të tjera që do të na ndihmojnë të përcaktojmë një çmim të arsyeshëm, të bazuar në shërbimet e nevojshme për llojin tuaj të biznesit.
Kërkesa juaj do të shqyrtohet dhe do t’ju përgjigjemi me email sa më shpejt të jetë e mundur.
A është e detyrueshme të përdor shërbimet e një zyre kontabiliteti per biznesin tim?
Jo domosdoshmërisht. Ligji nuk të detyron të lidhesh me një zyrë kontabiliteti, por është e domosdoshme që kontabiliteti të mbahet në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Këtë mund ta bësh edhe vetë, nëse ke njohuritë dhe aftësitë e duhura.
A ia vlen të ndjek një trajnim që më ndihmon të kryej vetë punët e kontabilitetit?
Po, në shumë raste ia vlen të ndjekësh një trajnim në kontabilitet, sidomos nëse je një sipërmarrës i vogël dhe dëshiron të kuptosh më mirë financat e biznesit tënd. Trajnimi mund të të ndihmojë të kursesh kosto duke menaxhuar vetë deklaratat tatimore, librat financiarë dhe raportimet mujore. Gjithashtu, të jep mundësinë të komunikosh më qartë me kontabilistin dhe të kuptosh dokumentacionin që firmos. Nëse aktiviteti yt është i thjeshtë, një trajnim bazë mund të jetë i mjaftueshëm për të kryer vetë disa detyra kontabël. Por nëse ke detyrime më të ndërlikuara si TVSH, punonjës, eksport-import apo je subjekt me formë juridike si SHPK, atëherë një trajnim nuk e zëvendëson ekspertizën e një kontabilisti të licencuar. Në këto raste, trajnimi të ndihmon të jesh më i ndërgjegjshëm dhe bashkëpunues, por jo domosdoshmërisht të veprosh i vetëm.
Por mbaj parasysh se nese vendos të bësh çdo gjë vetë, ndryshimet e shpeshta ligjore në Shqipëri do te të imponojnë që të jesh gjithmonë i informuar dhe i përditësuar, në mënyrë që të shmangësh gabimet dhe penalitetet.
Si mund të verifikoj nëse një ofrues sherbimi kontabiliteti është i regjistruar si biznes?
Vizito faqen zyrtare te QKB-se dhe kerko te Regjistri Tregtar me ndonje nga te dhenat qe ke per ofruesin e sherbimit, si emri, NIPT, etj. Nese subjekti eshte i regjistruar si biznes do te shfaqet Ekstrakti i subjektit ku mund të shohësh statusin ligjor, numrin e NIPT-it dhe aktivitetin e regjistruar.
Si mund të verifikoj nëse një ofrues sherbimi kontabiliteti është i licencuar për këtë shërbim?
Vizito faqen zyrtare të BMP-së dhe hyr te faqja ku shfaqen Organizatat Profesionale, të cilat janë IEKA, IKM, SHKFSH, dhe që janë të njohura nga institucioni për anëtarësimin e personave/subjekteve të licencuar për të ofruar shërbime kontabiliteti. Hyr te regjistri i secilës prej tyre dhe kërko personin/subjektin me emër ose me numër licence, i cili është i ndryshëm nga NIPT.
Cili është institucioni përgjegjës për licencimin e bizneseve që ofrojnë shërbime kontabiliteti?
Licencimi i bizneseve që ofrojnë shërbime kontabiliteti bëhet përmes Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) në bashkëpunim me institucionin mbikëqyrës që është Ministria e Financave (MF). Kjo realizohet pas disa trajnimeve dhe provimeve nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP) për kontabilitetin dhe çështjet fiskale. Certifikata e Aftësisë Profesionale që merret si Kontabilist i Miratuar është pjesë e dokumentave që duhet të ketë kontabilisti të shfaqura në një vend të dukshëm në zyrën e tij.
Cilat janë detyrimet që duhet të përmbushë një zyrë kontabiliteti për të ruajtur licencën e saj për ofrimin e këtij shërbimi?
Në përputhje me Ligjin nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, për të garantuar cilësinë e angazhimeve profesionale, individi i licencuar në subjekt duhet të ndjekë të paktën 40 orë trajnime në vit, me qëllim që të jetë i përditësuar me ndryshimet ligjore dhe standardet përkatëse. Ai duhet të dorëzojë pranë organizatës profesionale deklaratën vjetore të aktivitetit. Gjithashtu, është i detyruar të respektojë Kodin Ndërkombëtar të Etikës për Kontabilistët, i cili hartohet nga Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Etikës për Kontabilistët (IESBA), një organ i pavarur për vendosjen e standardeve etike. Përveç këtyre, individi duhet të kalojë me sukses kontrollin periodik, për cilësinë e shërbimit që ofron, i cili kryhet nga organizata profesionale ku bën pjesë.
A mund të hapë një biznes për ofrimin e shërbimeve të kontabilitetit një ekonomist, nëse nuk është i licencuar si Kontabilist i Miratuar, edhe pse mund të punojë vetëm me biznese të vogla?
Jo. Bordi i Mbikëqyrjes Publike në një përgjigje zyrtare që ka dhënë, ka kërkuar licencimin si kontabilist i miratuar për çdo individ që synon të hapë një biznes dhe të ofrojë shërbime financiare dhe kontabiliteti. Kliko këtu për të lexuar përgjigjen e plotë zyrtare nga BMP për këtë pyetje.
Cilat janë pasojat nëse bashkëpunoj me një ekonomist që ofron shërbime kontabiliteti pa qenë i regjistruar si subjekt biznesi?
Bashkëpunimi me një individ që ofron shërbime kontabiliteti pa qenë i regjistruar si biznes përbën një rrezik ligjor dhe operacional për subjektin, ndër të cilat mund të përmendim:
Bashkëpunimi nuk mbështetet nga një kontratë shërbimi, pra nuk siguron mbrojtje ligjore në rast mosmarrëveshjeje apo gabimi.
Dokumentacioni i përgatitur nga një person jo i regjistruar mund të mos pranohet nga administrata tatimore, duke sjellë penalitete për deklarim të pasaktë ose të pavlefshëm.
Në mungesë të një regjistrimi zyrtar, individi nuk ka detyrime për të respektuar standardet profesionale, kodin e etikës, gjë që cenon besueshmërinë dhe sigurinë e biznesit.
Një tjetër pasojë praktike është mungesa e faturës për shpenzimet e kryera. Nëse individi nuk është i regjistruar, nuk mund të lëshojë faturë tatimore, çka do të thotë se biznesi nuk mund të justifikojë shpenzimin dhe nuk mund ta përdorë atë për zbritje tatimore apo për qëllime të tjera fiskale.
Në rast kontrolli tatimor, bashkëpunimi me një individ jo të regjistruar mund të interpretohet si shmangie e detyrimeve ligjore, duke sjellë pasoja për vetë biznesin që ka përfituar nga shërbimi.
Për të shmangur këto rreziqe, rekomandohet që çdo bashkëpunim të bëhet me subjekte të regjistruara dhe të licencuara sipas legjislacionit në fuqi.
Cilat janë pasojat nëse bashkëpunoj me një biznes që ofron shërbime kontabiliteti pa qenë i licencuar nga autoritetet përkatëse?
Bashkëpunimi me një subjekt që nuk është i licencuar për ofrimin e shërbimeve të kontabilitetit mund të sjellë pasoja të konsiderueshme për biznesin tënd, ndër të cilat mund të përmendim:
Dokumentacioni financiar dhe deklaratat tatimore të përgatitura nga një person jo i licencuar mund të jenë të pasakta ose të papranueshme nga administrata tatimore, duke çuar në gjoba dhe penalitete për deklarim të gabuar ose të vonuar.
Në rast kontrolli tatimor ose auditimi, mungesa e një profesionisti të licencuar mund të sjellë vështirësi në mbrojtjen ligjore të biznesit dhe në justifikimin e veprimeve kontabël.
Nëse ndodhin gabime që sjellin pasoja financiare, nuk ka garanci ligjore për të kërkuar përgjegjësi nga një subjekt jo i licencuar, pasi ai nuk mbikëqyret nga autoritetet përkatëse.
Bashkëpunimi me një subjekt të tillë mund të konsiderohet shkelje e ligjit për kontabilitetin dhe auditimin, i cili përcakton qartë se shërbimet kontabël duhet të ofrohen nga kontabilistë të miratuar ose shoqëri të licencuara.
Për të shmangur këto rreziqe, është e rëndësishme të verifikosh gjithmonë statusin ligjor të zyrës me të cilën bashkëpunon.
Cilat janë përfitimet që sjell bashkëpunimi me një zyrë kontabiliteti të licencuar ?
Bashkëpunimi me një zyrë kontabiliteti të licencuar sjell një sërë përfitimesh të rëndësishme për çdo biznes, pavarësisht madhësisë apo sektorit ku operon, ndër të cilat mund të përmendim:
Përputhje me legjislacionin tatimor dhe financiar: Zyra kontabiliteti siguron që dokumentacioni, deklaratat tatimore dhe pasqyrat financiare të përgatiten sipas ligjeve në fuqi, duke shmangur penalitetet dhe gabimet.
Kursim kohe dhe burimesh: Menaxhimi i detyrave kontabël nga profesionistë të specializuar lejon që biznesi të fokusohet në aktivitetin kryesor, pa u ngarkuar me detaje teknike dhe afate ligjore.
Mbështetje në vendimmarrje: Analizat financiare, raportet e kostos dhe këshillimi strategjik nga kontabilistët ndihmojnë në marrjen e vendimeve të informuara për investime, çmime, financim apo zgjerim.
Siguri dhe transparencë në raportim: Një zyrë kontabiliteti e licencuar ofron dokumentacion të audituar, të pranueshëm nga banka, investitorë dhe autoritete shtetërore, duke rritur besueshmërinë e biznesit.
Përditësim me ndryshimet ligjore: Duke qenë të angazhuar në trajnime të vazhdueshme, profesionistët e kontabilitetit janë të informuar për çdo ndryshim në ligjet tatimore, fiskale apo kontabël, gjë që është thelbësore në një mjedis ligjor që ndryshon shpesh si në Shqipëri.
Mbështetje në rast inspektimi apo auditimi: Zyra kontabiliteti përgatit dhe mbron dokumentacionin e biznesit në rast kontrolli nga administrata tatimore, duke siguruar që çdo veprim të jetë i justifikuar dhe i dokumentuar.
A ka ndryshim të ndjeshëm në tarifat e shërbimeve kontabël mes profesionistëve të licencuar dhe atyre që nuk janë të licencuar?
Në praktikë, tarifat nuk ndryshojnë domosdoshmërisht në mënyrë të ndjeshme. Shpesh, profesionistët jo të licencuar mund të kërkojnë tarifa të ngjashme ose edhe më të larta, sepse kanë më pak klientë; synojnë të sigurojnë të ardhura më të larta për njësi shërbimi; përballen me risk personal më të madh ligjor; nuk mbështeten nga një organizatë profesionale prandaj mund t’u duhet më shumë punë për të qenë të përditësuar; çmimi është që i tërheq drejt këtij risku prandaj nuk priren për t’i ulur.
Megjithatë, bashkëpunimi me profesionistë të licencuar ofron siguri ligjore, cilësi të garantuar dhe mbrojtje në rast gabimesh, gjë që e justifikon vlerën e tarifës edhe nëse është paksa më e lartë.
Pse ka një kosto të konsiderueshme shërbimi kontabël që ofrohet nga një zyrë profesionale?
Kostoja e shërbimit kontabël reflekton kompleksitetin dhe përgjegjësinë që mbart ky profesion.
Çdo deklaratë tatimore apo financiare që nuk dorëzohet në afatin ligjor mund të sjellë penalitete për klientin, por edhe risk profesional për ofruesin e shërbimit, i cili shpesh mban përgjegjësi financiare, ligjore dhe morale për pasaktësitë.
Puna kontabël nuk është një angazhim i njëhershëm, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe punë mujore dhe vjetore, për përgatitjen e librave, pasqyrave financiare, deklaratave tatimore dhe raportimeve të tjera ligjore.
Profesionistët e kontabilitetit duhet të investojnë kohë dhe burime për t’u përditësuar vazhdimisht me ndryshimet në ligjet fiskale, praktikat tatimore dhe standardet kontabël, të cilat janë në ndryshim të vazhdueshëm.
