Falja/shuarja e detyrimeve tatimore dhe doganore 2026
Përmbledhje e Ligjit nr. 86/2025 dhe Udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore:
- Objekti i ligjit
Ligji përcakton kushtet dhe procedurat për:
- fshirjen;
- shuarjen;
- pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe vendore;
- si dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
Udhëzimi nr. 11 shërben si akt zbatues që shpjegon procedurat konkrete dhe afatet.
- Përkufizimet kryesore të ligjit
Ligji konsideron si “detyrime të papaguara”:
- principalin (tatim/taksë/tarifë/kontribut);
- gjobat;
- kamatëvonesat;
- dënimet administrative.
Për doganat përfshihen:
- taksa doganore;
- TVSH;
- akciza;
- taksat kombëtare;
- gjobat dhe kamatëvonesat.
- Kush përfiton
Përfitojnë:
- tatimpaguesit në e-Tax (aktivë, pasivë, të çregjistruar ose me statuse të tjera);
- subjektet me detyrime ndaj pushtetit vendor;
- debitorët ndaj doganave.
Deri më 31.01.2027 publikohet lista e 3000 përfituesve me faljen më të madhe, si dhe të gjithë atyre me falje ≥5 milionë lekë.
- Kush nuk përfiton
Nuk përfitojnë:
- subjektet e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- ose në proces gjyqësor/hetimor për vepra penale tatimore apo doganore.
Udhëzimi parashikon që administrata përgatit lista përjashtuese dhe, nëse gjatë zbatimit nis hetim ose konstatohet përfitim i gabuar, falja anulohet dhe detyrimet rivendosen.
- Falja automatike për detyrimet deri më 31.12.2014
Ligji parashikon fshirje/shuarje automatike për:
Tatime dhe taksa
- detyrimet tatimore deri më 31.12.2014;
- taksat vendore deri më 31.12.2014;
- jo kontributet e sigurimeve.
Sigurime
- falen gjobat dhe kamatëvonesat e sigurimeve para 31.12.2014;
- kontributi mbetet për pagesë.
Vetëm penalitete
Nëse principali është paguar, falen gjobat dhe kamatëvonesat e mbetura.
Subjekte të çregjistruara
Fshihen detyrimet e krijuara pas çregjistrimit në QKB, të evidentuara deri më 31.12.2024.
- Detyrimet 2015–2019 – falje me kusht pagese
Ligji ofron dy alternativa:
Opsioni 1 – deri 30.06.2026
- paguhet 50% e principalit;
- shuhet 50% tjetër;
- falen 100% gjobat dhe kamatëvonesat.
Opsioni 2 – deri 31.12.2026
- paguhet 75%;
- shuhet 25%;
- falen 100% penalitetet.
Ky regjim vlen si për tatimet qendrore ashtu edhe për taksat/tarifat vendore.
- Detyrimet 2020–2024
Ligji parashikon:
- falje të gjobave dhe kamatëvonesave për 2020–2024 nëse paguhet 100% principali deri më 31.12.2026;
- falje të penaliteteve të sigurimeve 2015–2024 nëse paguhet 100% kontributi.
Udhëzimi sqaron se nëse principali është paguar më parë ose ka qenë zero, penalitetet fshihen automatikisht.
- Falje të tjera të parashikuara nga ligji
Ligji fal edhe:
- detyrimet e subjekteve të çregjistruara deri 31.12.2024;
- gjobat automatike për mosdeklarim në afat;
- gjobat për deklarata të padorëzuara (nëse dorëzohen deri 30.06.2026);
- gjobat për pasqyra financiare dhe destinim rezultati të dorëzuara me vonesë;
- gjoba/interesa nga korrigjime listëpagesash me efekt prapaveprues ose vendime gjykate.
- Kompensimi me kredi TVSH
Nëse subjekti ka:
- tepricë kreditore TVSH;
- ose kredi të tatimeve të tjera,
ato kompensohen automatikisht me principalin e papaguar përpara aplikimit të faljes.
Nuk përfshihen kontributet e sigurimeve.
- Doganat
Ligji aplikon logjikë të ngjashme për doganat:
Deri 31.12.2014
- falje automatike e detyrimeve dhe penaliteteve.
2015–2019
- 50% pagesë deri 30.06.2026 → falje 50% + penalitete;
- 75% pagesë deri 31.12.2026 → falje 25% + penalitete.
2020–2024
- falen gjobat dhe kamatëvonesat me pagesë 100% të principalit.
Gjithashtu:
- fshihen automatikisht detyrime ≤1,500 lekë pa borxhe të tjera;
- falen detyrime të individëve pa ID ose me NIPT A000000A në kushtet e ligjit.
- Rastet në ankim ose gjykatë
Ligji bën dallimin:
Nuk përfitojnë
- rastet me vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të administratës.
Përfitojnë
- rastet në ankim administrativ/gjyqësor nëse subjekti heq dorë nga ankimi/padia.
Udhëzimi vendos afatin 30.11.2026 për paraqitjen e aktit të heqjes dorë.
- Afatet kryesore
Afatet më të rëndësishme:
- 30.06.2026
- pagesa 50%;
- dorëzimi i deklaratave të padorëzuara.
- 30.11.2026
- heqja dorë nga ankimet.
- 31.12.2026
- afati final i ligjit;
- pagesat 75% ose 100%;
- mbyllja e fshirjeve/shuarjeve.
- 15.01.2027
- sistemimet teknike për pagesat e reflektuara me vonesë.
Në thelb: ligji krijon një amnisti fiskale të kufizuar për detyrimet tatimore dhe doganore, me falje të plotë për borxhet e vjetra (deri 2014), falje me kushte për 2015–2019 dhe falje të penaliteteve për 2020–2024, ndërsa Udhëzimi nr. 11 përcakton procedurat konkrete të zbatimit.
LIGJ
Nr. 86/2025
PËR FSHIRJEN, SHUARJEN DHE PAGESËN E DETYRIMEVE TATIMORE NDAJ ADMINISTRATËS TATIMORE QENDRORE E VENDORE DHE E DETYRIMEVE TË PAGUESHME NË DOGANË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky ligj parashikon kushtet për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qendrore në sistemin tatimor “e-tax” ose jashtë tij, administratës tatimore vendore, si dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë.
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Detyrime tatimore të papaguara” janë tatimi/kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore/taksa/tarifa, kamatëvonesa dhe çdo dënim administrativ, i lidhur ose jo me një lloj tatimi/takse/tarife/kontributi, sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ose ligjeve të tjera tatimore, nga administrata tatimore qendrore dhe administrata tatimore vendore;
2.“Detyrime të pagueshme në doganë” janë detyrime të papaguara që kanë subjektet ndaj autoritetit doganor, përkatësisht, taksa doganore, TVSH-ja, akciza, taksat kombëtare, që mblidhen nga dogana në rolin e agjentit tatimor, gjoba dhe kamatëvonesa.
3. “Subjekt” është personi fizik, personi juridik, si dhe çdo person tjetër/individ me zotësi të plotë për të vepruar, të njohur si subjekte nga legjislacioni në fuqi;
4. “Tatimpagues” është sipas përkufizimit në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Me termin tatimpagues sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, kuptohet edhe individi i paregjistruar me NIPT/NUIS.
5. “Detyrime tatimore të evidentuara në llogarinë e tatimpaguesit” janë dënimet administrative të konstatuara nëpërmjet aktkonstatimit deri në datën 31.12.2024.
6. “Detyrime tatimore të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit” janë detyrime të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi apo të vlerësuara nga administrata tatimore ose të gjeneruara nga sistemi, të cilat janë kontabilizuar deri në datën 31.12.2024.
Neni 3
Tatimpaguesit/subjektet përfituese
Nga përcaktimet e parashikuara në këtë ligj përfitojnë:
a) tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv, të çregjistruar ose me statuse të tjera në sistemin tatimor “e-tax” për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji;
b) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore vendore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji.
c) subjektet debitore ndaj administratës doganore për detyrime, sipas neneve 9, 10 dhe 11 të këtij ligji.
ç) brenda datës 31.01.2027 organet përkatëse publikojnë në faqen zyrtare web të institucionit, listën e plotë të 3000 (tre) mijë tatimpaguesve/subjekteve që kanë rezultuar me fshirjen/shuarjen më të madhe të detyrimeve sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në çdo rast, në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit/subjektet, të cilave u është fshirë/shuar detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.
Neni 4
Tatimpaguesit/subjektet që nuk përfitojnë
1. Nga fshirja/shuarja e detyrimeve të parashikuara, sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, të cilët/të cilat janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës, përpara ose gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të këtij ligji.
2. Informacioni sipas pikës 1 të këtij neni sigurohet nga organet e pushtetit gjyqësor, nga Ministria e Drejtësisë dhe/ose institucionet në varësi të saj apo nga organet e pavarura të drejtësisë.
Neni 5
Fshirja e detyrimeve tatimore të papaguara
1. Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e administratës tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014.
3. Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin.
4. Pavarësisht nga përcaktimet në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, në rastin kur është paguar principali dhe tatimpaguesi ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
5. Detyrimet tatimore të papaguara, të vendosura për subjektet e çregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit pas datës së çregjistrimit, të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat e administratës tatimore deri në datën 31.12.2024 fshihen.
Neni 6
Shuarja pjesore e detyrimeve tatimore, me kusht pagimin e tatimit/taksës/tarifës/kontributit
1. Për detyrimet tatimore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019:
a) shuhet 50% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 50% e tatimit/taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026;
b) shuhet 25% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 75% e tatimit/taksës/tarifës paguhet brenda datës 31.12.2026.
Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
2. Për taksat/tarifat vendore të papaguara që u përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019:
a) shuhet 50% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 50% e taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026;
b) shuhet 25% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 75% e taksës/tarifës paguhet brenda datës 31.12.2026.
Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
3. Pavarësisht nga përcaktimet në pikën 1 të këtij neni, në rastin kur është paguar principali dhe tatimpaguesi ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
4. Shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2020 deri në datën 31 dhjetor 2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet brenda datës 31.12.2026.
5. Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2015 deri në datën 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, me kushtin që të paguhet 100% kontributi brenda datës 31.12.2026.
Neni 7
Fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore të tjera
Janë, gjithashtu, objekt i fshirjes/shuarjes, sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore së cilës i përkasin:
a) detyrimet tatimore të tilla, si: tatimi/taksa/tarifa/kamatëvonesa dhe dënimet administrative për tatimpaguesit, persona fizikë ose juridikë që rezultojnë të çregjistruar në QKB ose me vendim gjykate apo që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën 31.12.2024;
b) dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për mosdeklarim në afat, sipas nenit 113 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, deri në datën 31.12.2024, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve;
c) dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat për deklarata të padorëzuara, që u përkasin periudhave deri në datën 31.12.2024, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2026;
ç) dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara, sipas ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2024;
d) gjobat dhe interesat e gjeneruara në sistem nga ndryshimi i listëpagesave për periudhat e kaluara, që rrjedhin nga zbatimi i një akti ligjor apo nënligjor me efekt prapaveprues apo zbatimit të një vendimi gjykate të formës së prerë.
Neni 8
Kompensimi i detyrimeve debitore me tepricën kreditore të TVSH-së dhe gjendjen kreditore të tatimeve të tjera
1. Tatimpaguesit, që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të këtij ligji, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
2. Në rastet kur teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit të papaguar, atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur pas kompensimit, sipas nenit 6 të këtij ligji, dhe më pas bëhet fshirja/shuarja e kamatëvonesave dhe dënimeve administrative.
3. Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht, pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 2 të nenit 11 të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur tatimpaguesi heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
4. Në zbatim të këtij ligji, kompensimit do t’i nënshtrohen të gjitha detyrimet tatimore të papaguara, përfshirë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi (TAP), me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Neni 9
Fshirja e detyrimeve të pagueshme në doganë
Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të lindura ndaj administratës tatimore/doganore deri në datën 31.12.2014, të evidentuara në evidencat kontabël të borxhit të kësaj administrate. Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat kur subjekti është debitor vetëm për të tilla detyrime të lindura ndaj administratës tatimore/doganore deri në datën 31.12.2014.
Neni 10
Pagesa e detyrimit dhe shuarja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë
1. Për detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate, nga data 1.1.2015 deri në datën 31.12.2019:
a) shuhen në masën 50% të taksës doganore, TVSH-së, akcizës, taksave kombëtare, që paguhen ose mblidhen nga administrata doganore në rolin e agjentit tatimor, nëse pjesa e mbetur 50% e tyre paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026;
b) shuhen në masën 25% të taksës doganore, TVSH-së, akcizës, taksave kombëtare, që paguhen ose mblidhen nga administrata doganore në rolin e agjentit tatimor, nëse pjesa e mbetur 75% e tyre paguhet brenda datës 31.12.2026.
Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
2. Pavarësisht nga përcaktimet në pikën 1 të këtij neni, në rastin kur është paguar principali dhe subjekti ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
3. Shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e pagueshme në doganë, që i përkasin periudhës nga data 1.1.2020 deri më 31.12.2024, me kusht që detyrimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë brenda datës 31.12.2026.
4. Fshihen të gjitha detyrimet e mbetura pa paguar deri në vlerën 1 500 lekë për subjektet që nuk kanë detyrime të tjera.
5. Fshihen të gjitha detyrimet e individëve debitorë për të cilët nuk ka informacion për numrin e identifikimit (ID), nuk është bërë njoftimi për detyrimin për mungesë identifikimi dhe nuk ka vendim për rikuperim me forcë të borxhit, përfshirë këtu edhe individët që kanë zhdoganuar automjete me NIPT-in/NUIS-in e përgjithshëm A000000A.
Neni 11
Detyrimet tatimore dhe detyrimet e pagueshme në doganë që janë në proces ankimi
1. Nga fshirja/shuarja e detyrimeve të parashikuara, sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, për të cilët ka vendim gjyqësor të formës së prerë për këto detyrime me palë fituese administratën doganore/tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës.
2. Tatimpaguesit/subjektet, me përjashtim të atyre të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, i cili/të cilat është/janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore/detyrimet e pagueshme në doganë, i nënshtrohen këtij ligji, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.
3. Administrata tatimore ose doganore, për detyrimet që fshihen/shuhen, sipas këtij ligji, në rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Për detyrimet tatimore ose detyrimet e pagueshme në doganë, që nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja, sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në legjislacionet përkatëse.
Neni 12
Afati i zbatimit dhe e drejta e ankimit
1. E drejta e tatimpaguesve/subjekteve, që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji, ushtrohet brenda afateve të përcaktuara në nenet përkatëse.
2. Tatimpaguesit/subjektet për të cilat shuarja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë shuarje të detyrimit, nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.
3. Për çdo tatimpagues/subjekt, që përfiton ose jo nga fshirja/shuarja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, duke njoftuar edhe tatimpaguesin.
4. Tatimpaguesit/subjektet, të cilët/të cilat sipas një vendimi të administratave përkatëse nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative, sipas legjislacionit të fushës në fuqi.
Neni 13
Organet zbatuese dhe afati për fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore e të detyrimeve të pagueshme në doganë
1. Brenda datës 31.12.2026 organet përkatëse fshijnë/shuajnë nga regjistrat e tyre kontabël dhe nga llogaria e tatimpaguesit debitor detyrimet që fshihen/shuhen sipas këtij ligji.
2. Ky ligj i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 31.12.2026.
3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njësitë e qeverisjes vendore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 14
Nxjerrja e akteve nënligjore
Brenda 15 ditëve nga hyja në fuqi e këtij ligji ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzim për zbatimin e tij.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
Niko PELESHI
Miratuar në datën 12.12.2025
UDHËZIM
Nr. 11, datë 14.5.2026
PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR. 86/2025, “PËR FSHIRJEN, SHUARJEN DHE PAGESËN E DETYRIMEVE TATIMORE NDAJ ADMINISTRATËS TATIMORE QENDRORE E VENDORE DHE E DETYRIMEVE TË PAGUESHME NË DOGANË”
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe të nenit 14 të ligjit nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, ministri i Financave
UDHËZON:
I. OBJEKTI
Ky udhëzim ka për qëllim të përcaktojë rregulla dhe udhëzime për zbatimin e ligjit nr. 86/2025,
“Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, më poshtë referuar si “ligji”.
II. TATIMPAGUESIT/SUBJEKTET PËRFITUESE
1. Në zbatim të nenit 3 të ligjit, subjektet që do të përfitojnë të drejtën për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, janë si më poshtë:
a) Tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv, të çregjistruar ose me statuse të tjera në sistemin tatimor e-Tax, për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, sipas neneve 5, 6,
7 dhe 11 të ligjit;
b) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv, të çregjistruar ose me statuse të tjera në sistemin tatimor e-Tax, për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore vendore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të ligjit;
c) Subjektet debitore ndaj administratës doganore për detyrime, sipas neneve 9, 10 dhe 11 të ligjit.
2. Organi tatimor qendror apo vendor dhe organi doganor, brenda datës 31.1.2027, publikojnë në faqen zyrtare web të institucionit, listën e plotë të 3 000 (tre mijë) tatimpaguesve/subjekteve që kanë rezultuar me fshirjen/shuarjen më të madhe të detyrimeve, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në çdo rast, në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit/subjektet, të cilave u është fshirë/shuar detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.
III. TATIMPAGUESIT/SUBJEKTET QË NUK PËRFITOJNË
1. Në zbatim të nenit 4 të ligjit, nga fshirja/shuarja e detyrimeve nuk përfitojnë
tatimpaguesit/subjektet, që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës, përpara ose gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të këtij ligji.
2. Organi tatimor qendror, organi tatimor vendor dhe organi doganor, bazuar dhe në informacionin e siguruar nga organet e pushtetit gjyqësor, Ministria e Drejtësisë dhe/ose institucionet në varësi të saj, apo organet e pavarura të drejtësisë, sipas pikës 2 të nenit 4 të ligjit, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij udhëzimi, duhet të përgatisin listën e tatimpaguesve/subjekteve që nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve. Kjo listë përditësohet çdo muaj.
3. Listat e detajuara dhe të përditësuara do të shërbejnë për njoftim zyrtar të
tatimpaguesve/subjekteve që përjashtohen nga zbatimi i ligjit. Njoftimi zyrtar i
tatimpaguesve/subjekteve për organin tatimor qendror bëhet në llogarinë e tyre në e-Filing, ndërsa për organin tatimor vendor dhe doganor bëhet me shkresë zyrtare.
4. Për tatimpaguesit/subjektet për të cilët gjatë zbatimit të këtij ligji fillon një proces gjyqësor apo hetimor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, procedura e faljes, nëse është zbatuar,
anulohet. Organi tatimor qendror, apo vendor, dhe organi doganor, marrin masat për rivendosjen e detyrimeve që kanë ekzistuar përpara përfitimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastet kur konstatohet që tatimpaguesi/subjekti ka përfituar gabimisht nga dispozitat e këtij ligji. Në të gjitha rastet, kur bëhet anulimi i fshirjes/shuarjes së detyrimeve, njoftohet zyrtarisht edhe
tatimpaguesi/subjekti.
IV. FSHIRJA E DETYRIMEVE TATIMORE
1. Fshihen automatikisht detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të ligjit, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2014 e më parë, dhe që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Këtu përfshihet çdo detyrim tatimor i regjistruar në sistemin informatik ose jashtë sistemit, por që është i regjistruar në kontabilitetin e drejtorive rajonale tatimore.
2. Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014.
3. Fshihen automatikisht gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore para 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin.
4. Pavarësisht nga përcaktimet në pikat 1 dhe 2 të këtij kreu, në rastin kur është paguar principali dhe tatimpaguesi ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
5. Fshihen detyrimet tatimore të papaguara, të vendosura për subjektet e çregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) pas datës së çregjistrimit, të cilat janë evidentuar dhe kontabilizuar në regjistrat e administratës tatimore deri në datën 31.12.2024, me përjashtim të kontributeve të
sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
6. Për rastet kur data e njoftimit, apo aktkonstatimi mban datën 31.12.2014 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse, sipas parashikimeve të këtij kreu.
7. Organi tatimor qendror/vendor administron listat e detajuara të tatimpaguesve që kanë përfituar nga fshirja automatike, apo manuale sipas këtij kreu.
V. FSHIRJA/SHUARJA E DETYRIMEVE TATIMORE ME KUSHT PAGIMIN E
TATIMIT/TAKSËS/TARIFËS/KONTRIBUTIT
1. Në zbatim të nenit 6 të ligjit, organi tatimor qendror/vendor brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, të cilët kanë detyrimet tatimore të papaguara dhe të evidentuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019.
Kjo listë do të konsiderohet si lista bazë në të cilën do të pasqyrohen debitorët, detyrimet e pagueshme (principali) dhe gjobat/kamatëvonesat përkatëse.
2. Për detyrimet tatimore qendrore apo vendore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, shuarja bëhet sipas njërës nga alternativat e mëposhtme që zgjedh tatimpaguesi:
a) Shuhet 50% e detyrimit tatimor (tatim/taksë/tarifë), si dhe fshihen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat përkatëse, me kushtin që pjesa e mbetur prej 50% të detyrimit tatimor të paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026.
b) Shuhet 25% e detyrimit tatimor (tatim/taksë/tarifë), si dhe fshihen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat përkatëse, me kushtin që pjesa e mbetur prej 75% të detyrimit tatimor të paguhet brenda datës 31.12.2026.
3. Shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet tatimore që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2020 deri në datën 31 dhjetor 2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën
përkatëse të paguhet e plotë (100% e principalit) brenda datës 31.12.2026.
4. Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e
shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2015 deri në datën 31 dhjetor
2024, që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të
vetëpunësuarit në bujqësi, me kushtin që të paguhet 100% kontributi brenda datës 31.12.2026.
5. Nëse subjekti për periudhat e përcaktuara në pikat 2, 3 dhe 4 të këtij kreu nuk ka
tatim/taksë/tarifë/kontribut (principal) për të paguar, duke qenë se e ka paguar më parë ose tatimi
ka qenë zero, atëherë atij i aplikohet automatikisht fshirja/shuarja e kamatëvonesave dhe gjobave
të mbetura pa paguar në llogari.
6. Për rastet kur data e njoftimvlerësimit apo aktkonstatimi mban datën 31.12.2024 dhe më
parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga
strukturat përkatëse sipas kushteve të këtij kreu.
VI. FSHIRJA/SHUARJA E DETYRIMEVE TATIMORE TË TJERA
1. Në zbatim të nenit 7 të ligjit, janë objekt i fshirjes/shuarjes detyrimet tatimore të mëposhtme,
pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve
shoqërore dhe shëndetësore:
1.1 Fshihen/shuhen automatikisht detyrimet tatimore, përfshirë tatimin/taksën/tarifën,
kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridikë, të cilët
rezultojnë të çregjistruar në QKB ose me vendim gjykate, apo që janë të çregjistruar në
administratën tatimore deri në datën 31.12.2024.
1.2 Organi tatimor qendror/vendor përgatit listën e subjekteve sipas përcaktimeve të
mësipërme, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të udhëzimit.
1.3 Tatimpaguesit përfitues të ligjit, sipas listës së përgatitur, pas kryerjes së fshirjes së
detyrimeve nga sistemi, në mënyrë automatike do të çregjistrohen nga sistemi me datën efektive
të çregjistrimit sipas listës, pa qenë i nevojshëm dorëzimi i deklaratave, me përjashtim të
deklaratave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të listëpagesave.
1.4 Për detyrimet vendore, organet e pushtetit vendor marrin masat për fshirjen e detyrimeve
nga regjistrat përkatës.
2. Në zbatim të nenit 7, shkronja “b” të ligjit, fshihen/shuhen në mënyrë automatike dënimet
administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për mosdeklarim në afat,
sipas nenit 113 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e
Shqipërisë”, të ndryshuar, të llogaritura deri më 31.12.2024, përfshirë edhe dënimet që lidhen me
afatin e deklarimit të të punësuarve.
3. Fshihen/shuhen dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat për deklarata të
padorëzuara, që u përkasin periudhave deri në datën 31.12.2024, me kusht që çdo deklaratë e
padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2026.
4. Pavarësisht nga përcaktimet në pikën 3 të këtij kreu, dënimet administrative (gjobat) për
mosdeklarim në afat për deklarata të padorëzuara si pasojë e gjenerimit të tyre nga ana e subjekteve
individë për efekt deklarimi të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave që u përkasin
periudhave deri në datën 31.12.2024 fshihen automatikisht, pa qenë i nevojshëm dorëzimi i
deklaratave.
5. Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të
vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara
sipas ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të llogaritura
deri në datën 31.12.2024.
6. Fshihen/shuhen gjobat dhe interesat e gjeneruara në sistem nga ndryshimi i listëpagesave për
periudhat e kaluara, që rrjedhin nga zbatimi i një akti ligjor, apo nënligjor, me efekt prapaveprues,
apo zbatimit të një vendimi gjykate të formës së prerë, sipas akt konstatimit me datë deri më
31.12.2024.
7. Për rastet kur sipas pikave të këtij kreu, data e akt konstatimit mban datën 31.12.2024 dhe
më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht
nga strukturat përkatëse.
VII. KOMPENSIMI I DETYRIMEVE DEBITORE ME TEPRICËN KREDITORE TË
TVSH-së DHE GJENDJEN KREDITORE TË TATIMEVE TË TJERA
1. Tatimpaguesit, që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga
fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11, të ligjit, pas kompensimit
(zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
2. Në rastet kur teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit të papaguar, atëherë duhet të kryhet
pagesa për pjesën e mbetur pas kompensimit, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 6 të ligjit, dhe
më pas bëhet fshirja/shuarja e kamatëvonesave dhe dënimeve administrative.
3. Përcaktimet e këtij kreu për kompensimin zbatohen automatikisht, pa kontroll, përveç rasteve
të parashikuara në pikën 2, të nenit 11, të ligjit, për të cilat ky kompensim zbatohet kur tatimpaguesi
heq dorë nga ankimi administrativ, ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe
shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.
4. Në zbatim të ligjit dhe këtij udhëzimi, kompensimit do t’u nënshtrohen të gjitha detyrimet
tatimore të papaguara, përfshirë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi (TAP), me përjashtim të
kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
5. Transferimi automatik i kredisë do të përdoret vetëm për shlyerjen e principalit të detyrimit
tatimor, pa u shpërndarë në kamatëvonesë, gjoba apo dënime administrative.
6. Kompensimi i tepricës kreditore të TVSH-së dhe çdo lloj tatimi duhet të përdoret për të
përputhur fillimisht detyrimet brenda llojit të vetë të tatimit dhe, më pas, te tatimet e tjera, në
përputhje me parashikimet ligjore të nenit 73 të ligjit nr. 9920 datë 19.5.2008, “Për procedurat
tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Nga ky kompensim përjashtohen detyrimet e sigurimeve
shoqërore dhe shëndetësore.
VIII. FSHIRJA E DETYRIMEVE TË PAGUESHME NË DOGANË
Në zbatim të neneve 9, 10 dhe 11 të ligjit, degët doganore kryejnë evidentimin e plotë të të
gjithë debitorëve ndaj administratës doganore bazuar në përcaktimet e ligjit, duke marrë në
konsideratë datën e vendimit, llojin e detyrimit dhe periudhat përkatëse konkretisht; deri më
31.12.2014; 2015–2019; dhe 2020–2024.
Për këtë qëllim, degët doganore hartojnë edhe listat respektive të debitorëve sipas procedurave
të mëposhtme të përcaktuara në këtë udhëzim.
Për të administruar gjithë procedurën e fshirjes sipas këtij ligji, kryetari i degës doganore ngre
një komision në përbërjen e të cilit janë kryetari i degës doganore, juristi i degës doganore,
specialisti i borxhit dhe specialisti i financës. Kryetari i degës mund të caktojë në përbërje të këtij
komisioni edhe punonjës të tjerë të degës doganore.
IX. PROCEDURA QË DUHET NDJEKUR NË ZBATIM TË NENIT 9 TË LIGJIT.
1. Në zbatim të nenit 9 të ligjit, dega doganore brenda 20 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të
këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, për të cilët detyrimet e pagueshme në
doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2 të ligjit, janë të papaguara dhe të evidentuara nëpërmjet
vendimeve administrative deri më datën 31 dhjetor 2014.
2. Kjo listë do të përmbajë në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me: emrin e
kompanisë/individit, NIPT-in/ID, numrin dhe datën e vendimit administrativ, detyrimet e
pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2 të këtij ligji, shumën e paguar nëse ka,
shumën që fshihet/shuhet.
3. Kjo listë e plotë do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën do të vazhdojë procedura e
administrimit të fshirjes nga Komisioni. Komisioni, pasi verifikon saktësinë e listës, përmes një
procesverbali të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Komisionit, miraton menjëherë fshirjen e
këtyre detyrimeve. Lista e miratuar i kalon për fshirje zyrës së financës dhe zyrës së borxhit në
degën doganore.
4. Lista e debitorëve përfitues, pasi u janë fshirë detyrimet e pagueshme në doganë sipas nenit
9 të ligjit, i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
5. Debitorët të cilët kanë kryer pagesë të pjesshme të detyrimeve të pagueshme në doganë në
zbatim të vendimeve administrative të specifikuara sipas nenit 9 të ligjit, përfitojnë nga fshirja
vetëm për pjesën e mbetur të papaguar të detyrimeve të pagueshme.
6. Në zbatim të nenit 9 të ligjit, për subjektet që janë debitorë vetëm për gjoba dhe kamatëvonesa
të lindura ndaj administratës doganore deri në datën 31 dhjetor 2014, Komisioni miraton
menjëherë fshirjen e tyre, pavarësisht nëse detyrimi kryesor (taksë/tarifë) është paguar më parë.
X. PROCEDURA QË DUHET NDJEKUR NË ZBATIM TË NENIT 10 TË LIGJIT
1. Në zbatim të nenit 10, pika 1 të ligjit, dega doganore, brenda 20 ditëve kalendarike nga hyrja
në fuqi e këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve për të cilët detyrimet e
pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2 të ligjit, janë të papaguara dhe të
evidentuara sipas vendimeve administrative nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019. Kjo listë do
të konsiderohet si lista bazë në të cilën do të pasqyrohen debitorët, detyrimet e pagueshme
(principali) dhe gjobat/kamatëvonesat përkatëse.
2. Për debitorët e përfshirë në listën sipas pikës 1 të këtij kreu, shuarja e detyrimeve kryhet nëse
përmbushet një nga kushtet e mëposhtme: a) Paguhet 50% e detyrimit (taksë doganore, TVSH,
akcizë, taksa kombëtare) njëherësh brenda datës 30.6.2026. Në këtë rast shuhet 50% e mbetur e
detyrimit dhe 100% e gjobave dhe kamatëvonesave. b) Paguhet 75% e detyrimit (taksë doganore,
TVSH, akcizë, taksa kombëtare) brenda datës 31.12.2026. Në këtë rast shuhet 25% e mbetur e
detyrimit dhe 100% e gjobave dhe kamatëvonesave.
3. Dega doganore njofton debitorët për opsionet e pagesës. Debitori, brenda afateve të
përcaktuara, paraqet pranë degës doganore mandatin e pagesës sipas opsionit të zgjedhur (50% ose
75%). Komisioni, pas verifikimit të pagesës së kryer sipas kushtit, miraton shuarjen e pjesës së
mbetur të detyrimit (50% ose 25% respektivisht), si dhe fshirjen e të gjitha gjobave dhe
kamatëvonesave përkatëse. Lista e debitorëve përfitues i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të
Doganave.
4. Në zbatim të nenit 10, pika 3 të ligjit, dega doganore evidenton debitorët për periudhën 1 janar
2020 deri më 31 dhjetor 2024. Për këta debitorë shuhen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që
detyrimi (principali) për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100%) brenda datës 31.12.2026.
Procedura e verifikimit dhe e shuarjes nga Komisioni është e njëjtë me atë të përcaktuar në pikën
3 të këtij kreu.
5. Nëse principali është paguar përpara hyrjes në fuqi të ligjit dhe subjekti ka vetëm gjoba dhe
kamatëvonesa të papaguara në llogari, ato fshihen automatikisht nga Komisioni.
6. Në zbatim të nenit 10, pika 4 të ligjit, Komisioni i degës doganore miraton fshirjen automatike
të të gjitha detyrimeve të mbetura pa paguar deri në vlerën 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë për
subjektet që nuk kanë detyrime të tjera.
7. Në zbatim të nenit 10, pika 5 të ligjit, Komisioni miraton fshirjen automatike të detyrimeve
për individët debitorë pa numër identifikimi (ID), ose që kanë zhdoganuar me NIPT-in e
përgjithshëm A000000A, për të cilët nuk ka vendim për rikuperim me forcë. Lista e këtyre
individëve hartohet nga dega doganore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit.
XI. DETYRIMET TATIMORE DHE DETYRIMET E PAGUESHME NË DOGANË QË JANË NË PROCES ANKIMIMI
1. Në zbatim të nenit 11, pika 1 të ligjit, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve
tatimpaguesit/subjektet që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, për të cilët
ka vendim gjyqësor të formës së prerë për këto detyrime me palë fituese administratën
doganore/tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës. Kjo pikë zbatohet nga secili institucion
për detyrimet që janë në fushën e tij të përgjegjësisë.
2. Tatimpaguesi/subjekti, me përjashtim të atyre të përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu, i cili
është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore/detyrimet e pagueshme
në doganë, i nënshtrohet këtij ligji, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ, ose nga e drejta e
padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative
kompetente. Kjo pikë zbatohet nga secili institucion për detyrimet që janë në fushën e tij të
përgjegjësisë.
2.1 Të gjithë tatimpaguesit për gjobat e parashikuara në nenin 7 të ligjit (pikat “a”, “b”, “c”,
“ç”, “d”), përfitojnë nga zbatimi i ligjit, pavarësisht nëse janë në proces ankimimi, me kusht që
për këto detyrime të mos ketë një vendim gjyqësor, sipas përcaktimeve kufizuese të pikës 1 të
këtij kreu.
2.2 Për këtë qëllim, lista e subjekteve, të cilat janë në proces gjyqësor për vlerën dhe periudhën
e detyrimit të ankimuar, do të përcaktohen nga ana e organit tatimor/doganor brenda 20 (njëzet)
ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit. Lista e subjekteve, të cilat janë në proces gjyqësor, do të
publikohet në faqen zyrtare të internetit të administratës tatimore/doganore.
2.3 Në momentin kur tatimpaguesi/subjekti paraqet pranë organit tatimor/doganor aktin e
heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit, bëhet pjesë e
shqyrtimit të ligjit.
2.4 Paraqitja e aktit nga ana e subjektit, sipas pikës 2.3 më sipër, nuk mund të jetë më vonë se
data 30.11.2026.
3. Çdo drejtori rajonale tatimore, brenda 25 (njëzet e pesë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të
këtij udhëzimi, do të analizojë të gjitha marrëveshjet e pagesës me këste të detyrimit të papaguar,
me qëllim përfshirjen e këtyre tatimpaguesve në procesin e shqyrtimit të ligjit, për pjesën e mbetur
të detyrimit.
4. Administrata tatimore, apo doganore, për detyrimet që fshihen/shuhen sipas këtij ligji, në
rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Për detyrimet
tatimore ose doganore që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji (përfshirë rastet e pikës 1 të këtij
kreu), procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në
legjislacionet përkatëse.
4.1 Për detyrimet tatimore, që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes
së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në kreun XI, “Mbledhja me forcë e detyrimit
tatimor të papaguar”, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën
e Shqipërisë”, të ndryshuar.
4.2 Për detyrimet doganore, që nuk përfitojnë nga falja sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes
së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në Kodin Doganor dhe dispozitave zbatuese
të tij.
XII. AFATI I ZBATIMIT DHE E DREJTA E ANKIMIT
1. E drejta e tatimpaguesve/subjekteve, që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji, ushtrohet brenda
afateve të përcaktuara në nenet përkatëse të ligjit, por jo më vonë se data 31.12.2026.
2. Tatimpaguesit/subjektet për të cilët shuarja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë
shuarje të detyrimit, nëse nuk përmbushin kushtet e pagesës brenda afateve të përcaktuara në ligj,
30.6.2026 ose 31.12.2026, sipas rastit.
3. Për çdo tatimpagues/subjekt që përfiton ose jo nga fshirja/shuarja e detyrimeve, organi
përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim brenda afatit të zbatimit të ligjit, duke njoftuar
edhe tatimpaguesin.
3.1. Administrata tatimore pas përfundimit të fshirjes/shuarjes, sipas kushteve të përcaktuara
në ligj, do të njoftojë tatimpaguesit në sistemin e-Filing me anë të një mesazhi i cili në përmbajtje
të tij do të informojë, se: “Në zbatim të ligjit nr. 86, datë 12.12.2025, ‘Për fshirjen, shuarjen dhe
pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve
të pagueshme në doganë’, ju njoftojmë se efekti i tij është përfshirë në Situatën Tuaj Financiare
në sistemin informatik”.
4. Tatimpaguesit/subjektet, të cilët sipas një vendimi të administratave përkatëse nuk përfitojnë
nga fshirja/shuarja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative, sipas
legjislacionit të fushës në fuqi.
XIII. ORGANET ZBATUESE DHE AFATI PËR FSHIRJEN E DETYRIMEVE TATIMORE
DHE DETYRIMEVE TË PAGUESHME NË DOGANË
1. Brenda datës 31.12.2026, organet përkatëse fshijnë nga regjistrat e tyre kontabël dhe nga
llogaria e subjektit debitor, detyrimet që fshihen sipas këtij ligji. Për të gjitha pagesat e kryera nga
tatimpaguesi brenda afatit të zbatimit të ligjit por të reflektuara apo evidentuara në sistemin
elektronik pas këtij afati, sistemimet nga organet përkatës do të bëhen/mbyllen brenda datës
15.1.2027.
2. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e
Përgjithshme e Doganave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve me urdhër të brendshëm përcakton detyrat e çdo funksioni
dhe njësie të deleguara për zbatimin e këtij ligji.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ngre një grup pune i cili do të monitorojë zbatimin e
ligjit dhe këtij udhëzimi nga strukturat përkatëse në nivel qendror dhe rajonal.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave mund të përcaktojë rregulla më të detajuara për trajtimin
e rasteve specifike.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore mund të përcaktojë rregulla më
të detajuara për trajtimin e rasteve që janë në fushën e përgjegjësisë së këtij institucioni.
7. Njësitë e qeverisjes vendore mund të përcaktojnë rregulla më të detajuara për trajtimin e
rasteve që janë në fushën e përgjegjësisë së tyre.
Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I FINANCAVE
Petrit Malaj
