Tatimi mbi fitimin

Çfarë përfaqëson?

Tatimi mbi fitimin, i cili sot ndahet në dy përgjegjësi kryesore – Tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe Tatimi mbi të ardhurat e korporatës – është një tatim i drejtpërdrejtë që paguhet mbi fitimin neto të realizuar, pas zbritjes së shpenzimeve të zbritshme. Ai përfaqëson një kontribut financiar ndaj shtetit dhe është pjesë e sistemit fiskal që synon të sigurojë të ardhura për buxhetin publik, duke mbështetur shërbime si infrastruktura, arsimi, shëndetësia dhe siguria. Tatimi mbi fitimin përbën rreth 10% të të ardhurave tatimore të shtetit shqiptar, ndikon në drejtësinë fiskale dhe shërben si instrument politikash ekonomike për nxitjen e investimeve ose rritjen e të ardhurave. Pagesa e tij është një detyrim ligjor, një tregues i transparencës financiare dhe rrit besueshmërinë e kompanisë ndaj partnerëve e institucioneve, duke përfaqësuar një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shërbimeve publike dhe stabilitetin ekonomik.

Mënyra e llogaritjes

Fitimi neto tatohet me normat progresive të mëposhtme:

Person fizik

Qarkullimi vjetor

Tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi

0-14 milion Lekë/vit

0%

>14 milion Lekë/vit

23%

Person juridik

Qarkullimi vjetor

Tatimi mbi të ardhurat e korporatës

0-14 milion Lekë/vit

0%

>14 milion Lekë/vit

15%

    Të ardhurat e fituara brenda Shqiperise nga një individ i vetëpunësuar (Person Fizik) nëse ka vetem 1-2 klient (80% ose më shumë e të ardhurave të fituara merren nga një klient i vetëm ose 90% ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga 2 klientë) tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Qarkullimi vjetor

Tatimi mbi fitimin

0 – 2.040.000 Lekë/vit

13%

> 2.040.000 Lekë/vit

23%

Afatet dhe periudhat e pagesës

Tatimpaguesi parapaguan këstet tremujore të tatimit mbi fitimin sipas këtij kalendari:

  • Deri më 31 Mars → për muajt Janar, Shkurt, Mars
  • Deri më 30 Qershor → për muajt Prill, Maj, Qershor
  • Deri më 30 Shtator → për muajt Korrik, Gusht, Shtator
  • Deri më 31 Dhjetor → për muajt Tetor, Nëntor, Dhjetor

Mënyra e pagesës

Pasi të pajiseni me Urdhërpagesën nga studio e kontabilitetit, pagesën mund ta kryeni pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë, në Postën Shqiptare, si edhe në institucionet financiare të licencuara, si Easypay, AK-Invest, Unionnet – Western Union, etj., duke skanuar barkodin e Urdhërpagesës.

Pyetjet më të shpeshta (FAQ)

A mund të shmangë tatimet mbi fitimin në vendin e tij një individ i huaj duke hapur biznes në Shqipëri dhe duke vazhduar të jetojë në vendin e vet?

Një individ, nëse qëndron në një vend gjatë vitit tatimor për një periudhë ose periudha që në total arrijnë në 183 ditë ose më shumë, quhet rezident tatimor i atij vendi, dhe si rezident tatimor detyrimet e tij si individ janë të paguajë tatim në vendin ku është rezident tatimor për të gjitha të ardhurat, nga çdo vend që i ka. 

Pra, nëse fiton të ardhura nga biznese në Shqipëri me tatim 0%, por në vendin e tij tatimi është 25%, dhe individi qëndron 183 ditë ose më shumë në vendin e tij duke u quajtur kështu rezident tatimor në vendin e tij, ai duhet të bëjë një deklaratë tatimore individuale në vendin e tij (deklarata për rezidentët tatimor në Shqipëri quhet DIVA/DVAP), në të cilën do të deklarojë gjithë të ardhurat kudo që i ka fituar dhe do të paguajë tatimin për diferencën mes tatimit në vendin ku janë fituar të ardhurat dhe tatimit në vendin e rezidencës tatimore. 

Nëse në vendin ku nuk është rezident tatimor ka paguar tatim më shumë se çfarë do të paguante në vendin e tij të rezidencës tatimore, tatimi i paguar më tepër përgjithësisht nuk do të bëhet zbritje në vendin e rezidencës tatimore. 

Për të rregulluar këtë marrëdhënie midis shteteve dhe për të njohur tatimin që është paguar nga një individ në një tjetër shtet në të cilin nuk është rezident tatimor, shtetet bëjnë marrëveshje të cilat njihen si marrëveshje ndërkombëtare “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e Evazionit Fiskal”.

Nëse keni pyetje ...

Scroll to Top